Qeveria nuk mund ndërsa organizata joqeveritare “Qendra për dialog Nansen” mundet. Derisa në Maqedoni bëhen debate të ashpra prej kur filloristët shqiptarë duhet të mësojnë gjuhen maqedonase dhe a duhet vallë filloristët maqedonas të mësojnë gjuhen shqipe, dilemat në Prelubishtë të Tetoves tanimë janë zgjidhur.
Në klasë të njëjtë mësojnë edhe voglushët shqiptarë edhe ata maqedonas dhe këtë e bëjnë në të dy gjuhët, njëkohësisht. Me dy mësuese, në të dy gjuhët, me uniforma të njëjta dhe me mundësi të njejta, me një projekt të organizatës joqeveritare “Qendra për Dialog Nansen” nga Shkupi dhe me përkrahje finansiare të Mbretërisë së Norvegjisë, mu në mes të Maqedonisë, një model europian i arsimimit.
Në fillim u ballafaquan me probleme mirëpo nëpërmjet të bisedimeve dhe sqarimeve, u tejkaluan të gjitha, thotë për A-1 udhëheqësi i projektit Sasho Stojkovski.
„Rolin më të madh për fillimin e këtij projekti e kanë prindërit e nxënësve shqiptarë dhe maqedonas, programi për arsimim dygjuhësor të integruar dhe trajnimet e arsimtarëve të cilët duhet të implementojnë këtë program. Të gjitha këto komponenta, kur të bashkohen, zakonisht japin rezultate të shkëlqyeshme”, na tha Sasho Stojkovski, Drejtor ekzekutiv i OJQ “Qendra për Dialog Nansen”
Në pyetjen tonë pse nuk zbatohet vendimi i Qeverisë, Stojkovski u përgjigj se vetëm një pjesë e Strategjisë së Volebekut është promovuar, se nuk u punua në teren për tu njohur me te prandaj sipas tij e tërë puna është bërë me nxitim.
„Strategjia ose dokumenti për arsim të integruar u interpretua në mënyrë selektive nga ana e disa politikanëve të caktuar prandaj në një farë mënyre arsye për bojkotin ishte kjo. Unë mendoj se për tu tejkaluar kjo situatë dhe që të zvoglohen tensionet, nevoitet tërhjekja e vendimit personal e Ministrit”, thotë Stojkovski
Sipas modelit që zbatohet në Prelubishtë, pas mbarimit të mësimit të rregullt, nxënësit e të dy komuniteteve mblidhen në klasë, ulen pranë njëri tjetrit dhe mësojnë një njësi mësimore në të dy gjuhët. Kështu ata e mësojnë terminologjinë dhe shoqërohen, thojnë arsimtaret.
„Asnjë fëmijë shqiptar nuk e fliste gjuhen maqedone ndërsa tani të gjithë ata e kuptojnë këtë gjuhë sepse ky është viti i dytë që kur punojmë me ta. Cila do qoftë prej ne arsimtareve që iu drejtohet fëmijëve, në cilen do gjuhë qoftë, në gjuhen maqedone apo shqipe, të gjithë nxënësit e kuptojnë”, na tha Linda Jashari, arsimtare.
„Të punohet në një shkollë të këtillë dhe në këtë mënyrë është për mrekulli dhe është kënaqësi e madhe. Para se të fillonin me një program të këtillë, fëmijët kaluan nëpër punëtori në të cilat u përgatitën që të jenë pjesë e saj, deklaroi Elizabeta Stamenkovska, arsimtare.
70 për qind e mësimit që e zbaton “Qendra për Dialog Nansen” në këtë shkollë të Tetovës është prej Strategjisë për sistem të integruar arsimor, e cila akoma nuk është miratuar prej Byrosë për zhvillimin e arsimit.
Për një muaj, në afërsi të kësaj shkolle fillore, do të fillojë ndërtimi i shkolles së parë të mesme me sistem arsimor të integruar. Se ky model i arsimimit do të jetë sfidë për ministrin Todorov apo jo, mbetet të presim.
Naim Vrenezi